Për herë të parë që nga themelimi i saj, Barnatorja e Bujanocit mbylli dyert të martën, ndërsa punonjësit u drejtuan për në objektin e Komunës për të kërkuar ndërhyrje urgjente për situatën që e cilësojnë si “kolaps të plotë në funksionim”.
Sipas tyre, pagat kanë mbetur pa u dhënë për 12 muaj, furnizimi me barna mungon prej më shumë se tre muajsh, ndërsa borxhet ndaj furnitorëve dhe stafit po rriten dita-ditës.
Siç mëson LUGINALAJMI, punonëtorët e barnatores, sot janë pritur në takim nga kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit, Driton Rexhepi, me të cilin kanë diskutuar për gjendjen aktuale dhe kanë kërkuar mbështetje institucionale dhe zgjidhje afatshkurtër për tejkalimin e krizës.
„Barnatorja është hapur vetëm formalisht. Rafte bosh, pa barna esenciale, asnjë faturë nuk është paguar. Vijmë në punë, por nuk kemi çfarë t’u ofrojmë qytetarëve,“ u shprehën disa prej punonjësve.
Ata theksojnë se situata po ndikon negativisht si në sigurinë e tyre ekonomike, ashtu edhe në nevojat shëndetësore të qytetarëve të komunës, duke bërë apel për veprim të menjëhershëm nga ana e autoriteteve kompetente./LUGINALAJMI/