Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Serbisë, më 29 korrik 2025, ka kthyer përgjigje zyrtare lidhur me kërkesën e dërguar më 19 maj nga Komuna e Preshevës për hapjen e një vendkalimi të ri kufitar me Republikën e Maqedonisë së Veriut, në territorin e fshatit Miratoc.
Në përgjigjen drejtuar shefit të kabinetit të komunës, Besim Shabanit, përmenden disa dokumente të mëhershme dypalëshe që lidhen me këtë iniciativë:
- Marrëveshja ndërqeveritare e nënshkruar më 16 dhjetor 2019 në Shkup për themelimin e vendkalimit kufitar të përbashkët;
- Protokolli për zbatimin e kontrollit të përbashkët, nënshkruar më 22 shkurt 2023;
- Emërimi i anëtarëve të Komisionit të përbashkët për zbatimin e marrëveshjes nga pala serbe në vitin 2023 dhe 2024.
Megjithatë, sipas sqarimit të Ministrisë, vendndodhja aktuale në Miratoc nuk i plotëson kushtet infrastrukturore për hapjen e vendkalimit, duke theksuar se rruga kalon nëpër një zonë të banuar dhe mungojnë kushtet e nevojshme për kontroll kufitar.
Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, e ka vlerësuar këtë përgjigje si zhgënjyese dhe të papranueshme, duke theksuar se vendkalime të ngjashme në rajon – përfshirë atë ndërmjet Serbisë dhe Kosovës në “Dheu i Bardhë” – funksionojnë në kushte të ngjashme dhe përmes zonave të banuara si fshatrat Lluçan dhe Konçul.
“Sipas kësaj përgjigjeje, duket qartë se problemi nuk është teknik apo infrastrukturor, por buron nga mungesa e vullnetit politik nga ana e institucioneve shtetërore serbe,” ka deklaruar Sinani.
Ajo ka rikujtuar se edhe më herët, në takime me përfaqësues të Trupit Koordinues dhe Ministrisë për Administratë Lokale, është lënë të kuptohet se pengesat vinin nga pala maqedonase, por tani, sipas saj, vetë Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë konfirmon të kundërtën.
Komuna e Preshevës shpreh përkushtimin për të vazhduar përpjekjet për realizimin e kësaj kërkese, duke e konsideruar hapjen e vendkalimit Miratoc–Llojan si një nevojë jetike për lëvizjen e lirë, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar./LUGINALAJMI/



