Në muret e fontanës në sheshin e Bujanocit, persona ende të paidentifikuar kanë vendosur emrin e ish-gjeneralit serb të Bosnjës, Ratko Mladiç, i dënuar për krime lufte dhe gjenocid gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë. Ky akt është cilësuar si provokim i rëndë ndaj shqiptarëve dhe viktimave të luftës. Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik (PVD), Shaip Kamberi, ka deklaruar se glorifikimi i kriminelëve të luftës nga Qeveria e Beogradit po shndërron kriminelët e dënuar në figura publike, duke shtuar se çdo glorifikim i krimit është një akt kundër paqes, kundër drejtësisë dhe kundër së ardhmes së shoqërisë, ndërsa për fat të keq edhe sheshi i Bujanocit nuk i shpëtoi këtij fenomeni. Nënkryetarja e PVD-së dhe kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, e cilësoi këtë si një akt urrejtjeje dhe provokimi, duke theksuar se heshtja e institucioneve shtetërore është nxitje indirekte që e bën edhe më të rëndë goditjen ndaj shqiptarëve. Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), Enkel Rexhepi, tha se krimi nuk mund të bëhet kurrë lavdi dhe se këto mbishkrime nuk janë vetëm ngjyrë në mure, por plagë të hapura për familjet e viktimave dhe popujt që kanë vuajtur nga gjenocidi i këtyre kriminelëve. Ragmi Mustafi, kryetar i degës së PVD-së në Bujanoc, i quajti grafitet me emrin e Mladiçit në zemër të qytetit një provokim të rëndë, të papranueshëm dhe kërcënim ndaj sigurisë së bashkëjetesës, duke rikujtuar se ky nuk është rasti i parë, pasi më herët u thye billboard-i i Komandant Lleshit dhe u shkruan grafite me thirrje për vrasje të shqiptarëve para Shtëpisë së Shëndetit, pa asnjë reagim nga autoritetet. Sipas tij, shkrimi i emrit të Mladiçit në qendër të Bujanocit është vazhdim i së njëjtës strategji të provokimit, nënçmimit dhe heshtjes institucionale, që përbën dëshmi të qartë të rrënimit të sigurisë publike dhe të procesit të serbizimit sistematik të qytetit./LUGINALAJMI/



