Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), Enkel Rexhepi, përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se ka refuzuar takimin e planifikuar me ministrin për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave dhe Dialogun Shoqëror, Demo Berisha.
Rexhepi ka theksuar se institucioni që ai drejton “nuk duhet të përdoret për spektakle politike e takime boshe” dhe se “shqiptarët e Luginës presin rezultate konkrete, jo reklama mediatike”.
Në reagimin e tij, Rexhepi përmendi disa arsye për refuzimin e takimit:
- Fondet për trashëgiminë agrokulturore janë të bllokuara dhe mbi 900 fermerë shqiptarë mbeten pa mbështetje.
- Plani për Integrimin e Shqiptarëve në Institucionet Publike (2023–2026) po shkon drejt dështimit total, sipas tij, pa hapa konkretë.
- Ministri ka përdorur “gjuhë kriminalizuese” ndaj KKSH-së, gjë që cenon autoritetin e institucionit më të lartë përfaqësues të shqiptarëve në Serbi.
Rexhepi ka bërë të ditur se ky vendim është komunikuar edhe me korin diplomatik.
Nga ana tjetër, ministri Demo Berisha, në një reagim për median LajmiAL, ka theksuar se takimet nuk janë spektakël politik, por një “mjet i domosdoshëm i dialogut”.
Berisha mohoi akuzat për bllokimin e fondeve, duke sqaruar se çështja lidhet me procedurat ligjore dhe se Ministria është duke punuar për zgjidhjen e problemit. Ai gjithashtu nënvizoi se Plani i Integrimit të Shqiptarëve është në fazë zbatimi dhe se janë ndërmarrë hapa konkretë, megjithëse procesi nuk është i lehtë.
“Refuzimi i dialogut nuk i ndihmon shqiptarët, përkundrazi i izolon. Ftoj edhe njëherë z. Rexhepi që të rikthehet në tavolinën e bisedimeve, sepse dialogu është e vetmja rrugë drejt rezultateve konkrete,” u shpreh ministri Berisha./LUGINALAJMI/



