Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka deklaruar se autoritetet serbe janë duke finalizuar përgatitjet për rikthimin në funksion të shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Sipas tij, kjo nismë ka shkaktuar shqetësim te shqiptarët në Luginën e Preshevës, për shkak të përvojave të hidhura historike dhe trajtimit diskriminues që ata kanë pasur në ushtri.
Në një postim në profilin e tij në Facebook, Kamberi ka bërë të ditur se ka dorëzuar në Kuvend Propozimin për themelimin e një Komisioni të posaçëm me mandat për të hetuar rastet e vdekjeve të 135 ushtarëve shqiptarë në radhët e Armatës Popullore të Jugosllavisë (APJ) gjatë viteve ’80.
“Aktualisht, në Serbi janë duke u bërë përgatitjet e fundit për futjen në funksion të shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Kjo nismë ngjallë shqetësim te shqiptarët në Luginë për shkak të përvojave të dhimbshme dhe tragjeditë e pësuara në të kaluarën nga të rinjtë shqiptarë që shërbenin në APJ. Kujtesa kolektive është ende e rëndë për ato pasoja tragjike. Për këtë arsye, sot dorëzova Propozimin për krijimin e një Komisioni të posaçëm që do të zbardhë rastet e vdekjeve të 135 ushtarëve shqiptarë në radhët e APJ-së gjatë viteve ’80”, ka shkruar Kamberi.
Ai theksoi se shumë nga këto raste ishin regjistruar si “vetëvrasje”, “aksidente” apo “shkelje disiplinore”, por që, sipas familjeve të viktimave, kishin qenë të dyshimta, pasi mbi trupat e kthyer shpesh ishin vërejtur shenja dhune./LUGINALAJMI/