Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një takim me homologun e tij serb, Marko Gjuriq, në kuadër të Antalya Diplomacy Forum 2026, ku në fokus të diskutimeve kanë qenë marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet rajonale.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hoxha bëri të ditur se gjatë takimit është diskutuar për avancimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Serbisë përmes dialogut konstruktiv dhe projekteve konkrete, me theks të veçantë në forcimin e lidhjeve ekonomike dhe tregtare. Ai theksoi se këto marrëdhënie kanë rëndësi të veçantë për zhvillimin e qëndrueshëm dhe stabilitetin në rajon.
Në këtë kuadër, ministri shqiptar nënvizoi edhe një zhvillim të rëndësishëm për shqiptarët në Luginën e Preshevës, duke bërë të ditur se pala serbe ka shprehur gatishmëri për t’iu përgjigjur pozitivisht kërkesës për hapjen e një Konsullate të Përgjithshme të Shqipërisë në Bujanoc.
“Sot pata një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, në kuadër të Forumit Diplomatik të Antalias 2026. Diskutimi ynë u përqendrua në avancimin e marrëdhënieve dypalëshe përmes dialogut konstruktiv dhe bashkëpunimit konkret, me synim forcimin e mëtejshëm të lidhjeve ekonomike dhe tregtare”, ka shkruar Hoxha.
Ai shtoi se në këtë drejtim ka mirëpritur gatishmërinë e Serbisë për hapjen e konsullatës shqiptare në Bujanoc, duke e cilësuar këtë hap si të rëndësishëm për thellimin e bashkëpunimit dhe për përmirësimin e komunikimit institucional.
Hoxha theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, duke nënvizuar se forcimi i dialogut dhe shmangia e retorikave të panevojshme janë thelbësore për ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët në rajon. Sipas tij, Shqipëria mbetet e përkushtuar në zhvillimin e një politike të jashtme të qartë dhe koherente, si dhe në forcimin e kontakteve mes njerëzve, me synim ndërtimin e një brezi të ri me perspektivë evropiane.
Nga ana tjetër, ministri shqiptar pranoi se Shqipëria dhe Serbia vazhdojnë të kenë qëndrime thelbësisht të ndryshme lidhur me Kosovën. Ai rikonfirmoi qëndrimin e Tiranës zyrtare në mbështetje të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, duke e cilësuar atë si rrugën e vetme drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve dhe njohjes reciproke.
Në përfundim, Hoxha theksoi se progresi në këto procese është i domosdoshëm për garantimin e paqes së qëndrueshme dhe stabilitetit afatgjatë në rajon./LUGINALAJMI/



