Një grabitje e armatosur ka ndodhur mëngjesin e sotëm në fshatin Tërnoc i Madh në komunën e Bujanocit, ku cak i sulmit ishte pronari i një artarie. Sipas informacioneve të para, rreth orës 08:00, teksa po shkonte drejt punës me një sasi ari për në dyqan, ai është ndaluar në dalje të fshatit nga persona të armatosur që kishin organizuar një pritë të mirëplanifikuar. Fillimisht, një automjet i ka bllokuar rrugën, ndërsa nga një veturë tjetër, e tipit Audi Q5, kanë dalë disa persona të maskuar, të cilët nën kërcënimin e armëve kanë thyer xhamin e veturës së tij dhe kanë marrë me forcë çantën me ar. Sipas disa dëshmive, ai është marrë për një periudhë të shkurtër me vete dhe më pas është lënë i lirë, ndërsa grabitësit janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Burime nga terreni bëjnë të ditur se një automjet i dyshimtë kishte qëndruar i parkuar prej disa ditësh në hyrje të fshatit, çka përforcon dyshimet se grabitja ka qenë e organizuar dhe e planifikuar paraprakisht. Pas kryerjes së saj, autorët dyshohet se janë larguar në drejtim të fshatrave Lluçan dhe Dobrosin, ndërsa një veturë Audi me targa kosovare me prefiks 02 është parë në këtë aks rrugor, duke ngritur dyshime se ata mund të kenë tentuar të arratisen drejt Kosovës.
Menjëherë pas ngjarjes, policia ka ndërmarrë një aksion të gjerë në terren, duke kontrolluar zonën e Tërnocit dhe duke zgjeruar kërkimet në fshatrat përreth. Deri më tani nuk ka konfirmim zyrtar nëse personat e dyshuar kanë arritur të kalojnë kufirin.
Ndërkohë, Prokuroria e Lartë Publike në Vranjë ka bërë të ditur se rreth orës 09:00 është njoftuar për rastin dhe se pesë persona të maskuar, nën kërcënimin e armëve të zjarrit, kanë kryer grabitje ndaj pronarëve të një artarie që po transportonin një sasi të konsiderueshme ari dhe argjendi. Prokuroria ka konfirmuar se hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve janë në vazhdim.
Për ngjarjen kanë reaguar edhe institucionet lokale. Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka dënuar ashpër grabitjen, duke theksuar se një akt i tillë ka tronditur gjithë komunitetin dhe duke shprehur mbështetje për të dëmtuarin dhe familjen e tij, ndërsa ka kërkuar nga organet e rendit dhe institucionet hetuese që të bëjnë maksimumin për zbardhjen e shpejtë të rastit dhe vënien e autorëve para drejtësisë.
Nga ana tjetër, kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit, Driton Rexhepi, i është drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme me një kërkesë urgjente për ndërmarrjen e masave konkrete operative për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Ai ka theksuar se kjo ngjarje, e ndodhur pas një rasti të ngjashëm vetëm pak muaj më parë në të njëjtën zonë, ngre dyshime serioze për veprimtarinë e grupeve të organizuara kriminale dhe për një rrezik të shtuar ndaj sigurisë publike, duke kërkuar gjithashtu intensifikim të hetimeve dhe hartimin e një plani të veçantë sigurie për të parandaluar raste të tilla në të ardhmen.
Ngjarja ka shkaktuar shqetësim të madh tek banorët e fshatit, të cilët e përshkruajnë si një nga grabitjet më të rënda të viteve të fundit, ndërsa pritjet tashmë janë që institucionet të zbardhin plotësisht rastin dhe të rikthejnë ndjenjën e sigurisë./LUGINALAJMI/



