Një mesazh i shkurtër në rrjetet sociale duket se ka mjaftuar për të nxitur spekulimet: “Vazhdojmë në betejën e radhës”. Këtë e ka publikuar Ragmi Mustafi në profilin e tij në Facebook, duke e shoqëruar me flamurin e Republikës së Kosovës – një sinjal që po interpretohet si hyrje në garën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
A është kjo konfirmimi i kandidaturës së ish-kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe këshilltarit të kryeministrit Albin Kurti për Luginën e Preshevës? Burime politike sugjerojnë se Mustafi pritet të jetë pjesë e listës së Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet e 7 qershorit.
Kandidatura e tij nuk ka kaluar pa mbështetje. Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi, me të cilin Mustafi ka një bashkëpunim të gjatë, e ka vlerësuar këtë hap si vazhdim të një rruge të përbashkët. Ai ka kujtuar se për vite me radhë kanë ngritur zërin për shqiptarët e Luginës së Preshevës, si në institucionet vendore, ashtu edhe në ato ndërkombëtare.
“Së bashku kemi artikuluar kërkesat, shqetësimet dhe sfidat e shqiptarëve të Luginës. Jam i bindur se në çdo përgjegjësi që merr, ai do të vazhdojë të punojë për barazi, dinjitet dhe përfaqësim të drejtë”, ka shkruar Kamberi.
Sipas tij, rrugëtimi i përbashkët vazhdon me të njëjtin qëllim dhe të njëjtin ideal./LUGINALAJMI/



