Analizë shkruar nga: Agron Gërguri, rreth premierës e monodramës “Dera” me autor dhe regjisor Naser Shatrolli.
Hapësira skenike me grila të cilët thyhen në ide derisa i riu përplitet me konstatime, dyshime e hamendësime për jetën, politikën, atdheun, luftën, dëshmorët, të pagjeturit. Zhgënjimi me transicionin e pafund brenda të cilit bëhen salto mortale si premtime politike ku vota get se blihet me dëshira pa asnjë mundësi të prekshme realizimi.
Diçka është prishur në gjenezë tek ikja e babait në atdheun e të pagjeturve.
“Më kujtohet momenti para se të largohej.. unë isha duke e pikturuar mendimin e tij brenda mitrës, në ateleun e mamit…! “ flet Kodi për t’na e deshifruar prishjen që në embrion duke e ushqyer jetën me mungesa siç di ti prodhoj lufta e cila po bëhet biznes me të cilin merren përfituesit e mbetur gjallë me heroizmin e dëshmorëve emri i të cilëve ka mbërri në ndonjë rrugë njëkahëshe apo shkollë pa nxënës apo institucion të mbyllur për kulturën ku mund takohemi me vetveten. Tutje nuk shkon.
Andaj njeriun ynë, sidomos i riu është i ushqyer me infuzion dhe infuzioni i gjatë ia ka prishë strukturën e organizmit dhe ia ka verdh fytyrën nga doza e premtimeve boshe mbushur me ndjenjë mosrespekti e mosmirënjohjeje për lirinë dhe dashurinë.
Krejt çka i mbetet është të dal prej aty. Ta lë veten (shpirtin bashkë me përkatësin kombëtare) aty ku nuk jetohet më, e të dal jashtë si njeri i cili pa identitet e pa krenari do të jetoj diku ku jetës nuk i duhen këto përkatësi. Të jetoj zhgënjimin jashtë i mbytur nga doza e tepruar e drogëpatriotizmit, hipokrizisë, mospranisë.
Me 51 % të mbushjes e mbanë hapur mundësinë e thirrjes për ndihmën e shpejt për ta trajtuar jetën e sëmur nga hipokrizia, mashtrimi, zvetnimi apo pikërisht 51% është përqindja e mashtrimit absolut apo edhe rruga e pakthim ngjashëm me të rënët, të pagjeturit, të përhumburit e blerësit e biletës për në planetin e gënjeshtrës. Mbingarkesa seksuale që nis me sharje e përfundon nëpër zyra ku “ëmbëlsohen” orët e punës.
Ky afërsisht e keqësisht është ambienti ku operon sot shpirti i të riut i cili i zhgënjyer me shpresën derën e daljes e pretë si vizë për të migruar jashtë vetes i zhgënjyer deri në lot me poezinë e Podrimës në mendje e fytin e tharë nga patriotizmi i rilindasëve sepse atdheu i është bërë gropë septike e mbushur me politikëmburrje për fitore humbëse apo suksesdështime që maten veç me numra derisa jeta ka ikur tjetërkah. I riu nuk mendon as jeton me dashuri e për dashurinë, veçse si luledrogë, jetë virtuale, fiktive e pa gjak. Jetë infuzive, transicion i pafund deri vetja të merr formë e përmbajtje ku ndjenja emocioni e dëshira do duhej të derdhen në dashuri e jo shpresën si një lum i vdekur kaherë.
Shatrolli përdorë suksesshëm shenja, aluzione e metafora teatrore duke e trajtuar skenografinë si të ndryshueshme e funksionale në argumentimin skenik të përmbajtjes së shfaqjes.
Mizanskenim preciz, ku veprimet foljore dhe fizike e përplotësojnë njëra tjetrën dhe bëhen thënie skenike që shpërthejnë në interpretimin e ndjeshëm e të besueshëm të aktorit të ri Drin Berisha i cili ecte bindshëm në rrugën regjisoriale të Shatrollit duke na ofruar personazhin e Kodit si një shifër që e gjenë komunikimin me spektatorin i cili e duartrokiti gjatë premierën e shfaqjes “Dera” dhe krijuesit e saj.
Muzika: Ehat Dula, skenografia: Agron Blakçori, kostumet: Arife Veselaj, ndriçimi: Albert Gashi mjeshter i skenes: Ekrem Xhaka
Naseri duke dalur të falënderoj publikun për duartrokitjet e gjata rrugës deri te skena përqafoj bashkëshorten për të rimbursuar dashurinë edhe si falënderim dhe mbushje e 100% e njerëzores.