Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të martën mbrëma ka mbajtur një takim urgjent me disa ministra të Qeverisë së Serbisë për të diskutuar për hapat e ardhshëm që do të ndërmarr Beogradi në rast se Kosova fillon zbatimin e vendimit të Bankës Qendrore.
Sipas mediave serbe, takimi i Vuçiq-it me kabinetin qeveritar ka ndodhur për shkak se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar propozimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian për shtyrjen e vendimit që në Kosovë të përdoret vetëm një valutë Euro.
Një vendim i Bankës Qendrore të Kosovës së fundmi ka shkaktuar fërkimin politik të radhës në mes të Qeverisë së Kosovës – e cila në emër të ligjit po tenton ta shtrijë sovranitetin në Veri të Kosovës – dhe komunitetit ndërkombëtar – i cili s’po do “surpriza” në terren, por zbatim të marrëveshjeve (Asociacionin).
Vendimi i BQK-së që në Kosovë të përdoret vetëm një valutë, euro, aktualisht ka ngecur në mes thirrjes së komunitetit ndërkombëtar që i njëjti të shtyhet deri në një afat më optimal, pasi shteti serb tha se vendimi i Kosovës afekton serbët e Kosovës, meqë ata i pranojnë të gjitha ndihmat nga Serbia në dinarë dhe në anën tjetër arsyetimin e autoriteteve kosovare se vendimi një fjalë është vetëm zbatim i një dispozite të Kushtetutës së Kosovës dhe asgjë tjetër.
Pikërisht për t’u takuar në një pikë të përbashkët në këtë çështje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të premten ishte vizituar nga ambasadorët e vendeve të QUINT-it (SHBA, MB, Gjermania, Franca, Italia) si dhe shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomasz Szunyog.
Por, ajo çfarë u bë e ditur pas takimit ishte se Qeveria e Kosovës nuk kishte lëvizur nga pozicioni paraprak.
“Kryeministri Kurti në takim theksoi rëndësinë e respektimit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend nga të gjithë dhe në të njëjtën kohë respektimit të autoriteteve të pavarura, në këtë rast të Bankës Qendrore”, theksoj në komunikatën e lëshuar pas takimit.
Ndonëse Ambasadorët nuk u deklaruan pas takimit, ajo çfarë dihet deri më tani është fakti se Gjermania ka kërkuar që Qeveria e Kosovës të shtyjë vendimin e BQK-së.
“Ne i bëjmë një thirrje të fuqishme Kosovës që ta shtyjë datën e zbatimit derisa të gjendet një zgjidhje e pranueshme”, tha zëdhënësja e Qeverisë së Gjermanisë, Christiane Hoffman.
Sipas Hoffmann vendimi i BQK është një “hap i rëndësishëm me pasoja të gjera që kërkon më shumë kohë dhe përgatitje”.
Në thirrjen e Gjermanisë ishin bashkuar paraprakisht edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-ja.
Vendimi i BQK-së pritet të hyjë në fuqi më 1 shkurt.