Në seancën e katërt të Kuvendit Komunal të Bujanocit, këshilltari i Partisë për Veprim Demokratik (PVD), Enver Ramadani, ka ngritur shqetësime rreth gjendjes së vështirë buxhetore dhe zhvillimore të komunës, si dhe ka paraqitur një propozim konkret për përmirësimin e situatës. Ai ka kërkuar nga kryetari i komunës dhe shumica në pushtet që të ndërmarrin hapa drejt bashkëpunimit institucional me Këshillin Kombëtar Shqiptar, përmes nënshkrimit të një memorandumi zyrtar.
“Shpresoj që të hyrat që i përmendi kryeshefi i financave të jenë reale deri në fund të vitit. Por përveç kësaj, kemi nevojë për alternativa konkrete që mund të sjellin përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët e Bujanocit,” u shpreh Ramadani në fjalën e tij para këshilltarëve.
Ai kritikoi qasjen e deritanishme të Trupit Koordinues, duke theksuar se ky institucion – i cili teorikisht duhet të mbështesë zhvillimin e komunave me shumicë shqiptare – po tregohet joefikas dhe se në çdo seancë të Kuvendit njoftohen për uljen e mjeteve financiare për këtë trup.
“Trupi Koordinues mbështet fuqishëm këtë qeverisje lokale, ku përveç PVD-së, të gjitha partitë shqiptare janë në opozitë, ndërsa partitë serbe janë në pushtet. Dhe sërish nuk kemi parë ndonjë përmirësim të gjendjes. Vizitat e ministrave nga Beogradi janë më shumë për sy e faqe – asnjë ndryshim i prekshëm nuk ka ndodhur në terren,” theksoi Ramadani.
Në këtë kontekst, ai propozoi që Komuna e Bujanocit të ndërmarrë një hap proaktiv: “E inkurajoj kryetarin e komunës që të ndërmarrë nismën për nënshkrimin e një memorandumi bashkëpunimi me Këshillin Kombëtar Shqiptar. Nëse është e nevojshme, edhe Kuvendi Komunal mund ta votojë këtë iniciativë. Ky memorandum mund të jetë çelësi për përfitimin e mbështetjes konkrete nga Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes projekteve të zhvillimit lokal.”
Ramadani përmendi si shembull marrëveshjen e fundit të nënshkruar mes Komunës së Preshevës dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar, përmes së cilës janë siguruar 580 mijë euro për ndërtimin dhe pajisjen e shkollës së muzikës si dhe për adaptimin e muzeut të qytetit në Preshevë. Ai vlerësoi se një bashkëpunim i tillë mund të sjellë përfitime të mëdha edhe për Komunën e Bujanocit, duke pasur parasysh lidhjet dhe komunikimin intensiv që Këshilli Kombëtar Shqiptar ka me institucionet e Republikës së Kosovës.
“Kjo nuk është as turp e as e panevojshme – përkundrazi, është detyrë e çdo institucioni lokal që të gjejë rrugë për të përmirësuar jetën e qytetarëve. Këshilli Kombëtar është organi përfaqësues i shqiptarëve në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, por edhe i shqiptarëve në të gjithë territorin e Serbisë. Prandaj duhet ta shfrytëzojmë këtë kanal institucional,” tha Ramadani.
Në fund, ai propozoi konkretisht që nga rishikimi aktual i buxhetit, të ndahen 5 milionë dinarë për këtë bashkëpunim me Këshillin Kombëtar Shqiptar. “Këto mjete mund të sigurohen nga fondi ekzistues prej 20 milionë dinarësh, i planifikuar për hartimin e projekt-dokumentacionit. Kjo është një formë shumë më direkte dhe e efektshme për t’u kthyer qytetarëve atë që u takon,” përfundoi Ramadani./LUGINALAJMI/



