Sot është ndarë nga jeta profesori dhe veprimtari i njohur nga Presheva, Ibrahim Kadriu. Për disa vite, ai ishte banor i shtëpisë së të moshuarve “Jetimat e Ballkanit”, e cila është nën menaxhimin e teologut të njohur, Halil Kastrati.
Lajmin për ndarjen nga jeta të profesorit Kadriu e bëri të ditur Halil Kastrati përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shkroi:
“Allahu të mëshiroftë dhe Xhennetin ta dhuroftë!
Ju njoftojmë ndarjen nga jeta të profesorit tonë të dashur, Ibrahim Kadriu nga Presheva, banor i shtëpisë së të moshuarve.
‘Të Zotit jemi dhe te Ai do të kthehemi.’
O Zot, mëshiroje, dhe bëje banor të Xhenetit!”
Ibrahim Kadriu ishte një figurë kyçe në organizimin e Referendumit historik të 1 dhe 2 marsit 1992 në Luginën e Preshevës, ku shqiptarët kërkuan autonomi të plotë me të drejtë bashkimi me Kosovën. Për shumë vite, ai ishte i angazhuar politikisht dhe dha një kontribut të çmuar në çështjen kombëtare.
Vdekja e tij lë pas një trashëgimi të rëndësishme politike dhe intelektuale për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe më gjerë.
Ngushëllime familjes, miqve dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e vlerësuan figurën e tij./LUGINALAJMI/



