Reshjet e borës kanë shkaktuar probleme të mëdha në aksin rrugor Dobrosin – Lluçan, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve. Mospastrimi i rrugës ka bërë që dhjetra vetura të përfundojnë jashtë rrugës, duke shkaktuar kaos dhe rrezik për udhëtarët.
Këshilltari i Partisë për Veprim Demokratik (PVD), Rahim Salihi, ka reaguar nëpërmjet një postimi në Facebook, duke kritikuar ashpër qeverisjen lokale për mospërkujdesjen ndaj mirëmbajtjes së rrugëve alternative, veçanërisht për qytetarët që përdorin këtë rrugë për të kaluar nga Bujanoci në Kosovë.
Salihi theksoi se, përkundër faktit që diaspora është në kthim nga pushimet dhe vendkalimi kufitar te Dheu i Bardhë është i ngarkuar, Komuna e Bujanocit nuk po investon në mirëmbajtjen e rrugëve alternative që janë të domosdoshme për qytetarët vendas.
“Rruga që lidh Dobrosinin me Kosovën ishte e ngrirë dhe paraqiste rrezik të drejtpërdrejtë për qytetarët. Në foto mund të shihni veturat të cilat, për shkak të mospastrimit të rrugës, përfunduan jashtë saj,” shkruan Salihi.
Ai gjithashtu paralajmëroi se kjo rrugë, për shkak të rrezikshmërisë që paraqet dhe pozitës së saj, mund të shndërrohet në një rrugë që do të rrezikojë jetën e udhëtarëve.
“Punoni, për atë jeni të zgjedhur!” përfundon postimi i Salihit, duke apeluar për veprim urgjent nga autoritetet lokale./LUGINALAJMI/