Deputeti i vetëm shqiptar në Beograd dhe njëherësh kryetar i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi, ka zhvilluar një takim me të Ngarkuarin me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Alexander Titolo.
Pas takimit, Kamberi ka njoftuar përmes një postimi në rrjetet sociale se në takim, ku ishte i pranishëm edhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, është diskutuar për pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe sfidat me të cilat përballet ky komunitet.
Sipas tij, në qendër të diskutimeve kanë qenë çështje kyçe si përfaqësimi i pamjaftueshëm i shqiptarëve në polici, gjyqësor dhe administratë publike, mosnjohja e diplomave të fituara në Kosovë, praktika e pasivizimit të adresave dhe pasojat e saj, si dhe pengesat në funksionimin e fondeve zhvillimore.
Gjithashtu, është ngritur shqetësimi për përdorimin e gjuhës së urrejtjes dhe pengimin e fondeve nga Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë të dedikuara për shqiptarët e Luginës.
Kamberi ka theksuar se këto çështje janë pjesë e Planit 7 pikësh, një dokument i dakorduar që nga viti 2013, zbatimi i të cilit, sipas tij, vazhdon të neglizhohet nga Qeveria, si dhe pjesë e Planit Aksional për integrimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore të vitit 2022.
Në takim është vlerësuar roli dhe mbështetja e vazhdueshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në promovimin e të drejtave, stabilitetit dhe zhvillimit në rajon, duke theksuar nevojën për angazhim të mëtejshëm në adresimin e këtyre çështjeve.
Kamberi ka bërë të ditur se mungesa e gatishmërisë nga institucionet në Beograd për të trajtuar këto probleme ka shtyrë përfaqësuesit shqiptarë që t’i adresojnë ato edhe në nivel ndërkombëtar, përfshirë Senatin dhe Kongresin amerikan, ku po punohet për avancimin e ligjit HR-6411.
Ai ka përfunduar se ky takim rikonfirmon rëndësinë e partneritetit me Shtetet e Bashkuara dhe domosdoshmërinë e ndërmarrjes së hapave konkretë drejt zgjidhjeve të qëndrueshme për shqiptarët në Luginën e Preshevës./LUGINALAJMI/



