Iniciatori i projektit për krijimin e tregut me shumicë në Bujanoc, Kushtrim Fazliu, ka nënshkruar sot marrëveshjen e parë të bashkëpunimit me biznesmenin Necat Demiri nga Stambolli, lidhur me furnizimin me tekstil në kuadër të projektit “Tregu i Shumicës në Bujanoc”.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Fazliu ka bërë të ditur se brenda dy muajve pritet të përfundojnë 12 showroom-e dhe pesë depo moderne, të cilat do të shërbejnë për zhvillimin e tregut të tekstilit në qytet.
“Sot në Bujanoc nënshkruam një marrëveshje bashkëpunimi me Necat Demiri nga Istanbul, për furnizimin me tekstil në kuadër të projektit ‘Tregu i Shumicës në Bujanoc’. Nga ana ime u premtua që brenda 2 muajve do të jenë të gatshme 12 showroom-e dhe 5 depo me standarde të larta për zhvillimin e këtij projekti”, ka shkruar Fazliu.
Sipas tij, biznesmeni turk ka shprehur gatishmëri që bashkëpunimi të zgjerohet edhe më tej në të ardhmen, me synimin që Bujanoci të shndërrohet në një qendër moderne të tregtisë së tekstilit.
Fazliu ka vlerësuar se ky bashkëpunim mund të shënojë fillimin e një zhvillimi më të madh ekonomik dhe tregtar për rajonin.
Kujtojmë se Kushtrim Fazliu ka nisur funksionalizimin e depove dhe objekteve të ish-“Gumoplastikës” në qendër të Bujanocit, në një hapësirë prej rreth 8 mijë metrash katrorë. Sipas planit të prezantuar, objektet ekzistuese do të rinovohen dhe do të shndërrohen në treg me shumicë për zhvillimin e biznesit të tekstilit dhe veprimtarive të tjera tregtare./LUGINALAJMI/



