Intervista e parë që Berat Gjimshiti (që i ka dhënë Sport Ekspress), ka zgjedhur që të jap nga qëndrimi i tij në Itali, për një media shqiptare, nëpërmjet një lidhje live, ishte pikërisht ajo në emisionin tonë të ri, “Koha Shtesë”. Mbrojtësi i Atalantas ka folur për gjithçka sa i përket Shqipërisë, kohës kur ngeli jashtë në Euro 2016, Europianit të Gjermanisë, Silvinjos dhe lojtarëve që spikasin si Jasir Asani apo Mario Mitaj. Një intervistë ku nuk munguan batutat dhe buzëqeshja, teksa Berat Gjimshiti tregoi se përtej lojtarit fantastik, është një njeri me virtyte të larta. (Videon e plot të intervistës së Berat Gjimshiti në Koha Shtesë e gjeni më poshtë)
“Në fillim kur mësova se ngela jashtë Europianit të Francës isha nervoz. Nuk kam folur kurrë për këtë gjë, vetëm me familjarët dhe gruan. Në ato momente kam qenë nervoz, por prapë ai moment më ka dhënë mentalitetin që unë kam sot, më ka shtuar vetbesimin. Unë jam një njeri që “ka inat”, çdo lojtar duhet të ketë “pak inat” në vete që të shtyj përpara. Dhe mua pikërisht ai moment më shtyu shumë i thashë vetes: “Duhet t’i tregosh me patjetër sesa vlen Gjimshiti”. Unë jam një tip që nuk dua të flas shumë, kjo intervistë me ju sot në kamerë është e para që unë bëj, nuk e kam bërë kurrë më parë sepse dua atë privatsinë time dhe nuk dua të flas shumë në media.
E them me sinqeritet që edhe në momentin e nervozizmit kur mora vesh se nuk do të isha në Europian, nuk më shkoi kurrë ndërmend që të lija Shqipërinë. Sigurisht që ishte një moment pak i vështirë, por një javë më pas kur shokët e mi ikën në Francë për Europian, unë mora avionin dhe ika në Zvicër. E mbasi ika në Zvicër, mora prapë aeroplanin me dy shokë dhe erdha në Tiranë, bëra pushimet në Tiranë. Për një javë ndoshta më ngeli pak në fyt e gjitha ajo që ndodhi, por pas një jave e harrova fare dhe e mbështeta Shqipërinë si tifoz.
Silvinjo i takon të gjithë çunat e ekipit, pastaj dhe mua. Kur më takon pas ndeshjeve më thotë gjithmonë fjalët: “Tani u krye, ia dolëm. E di që e ke pritur edhe ti këtë moment, edhe unë. E di se çfarë ke hequr, e di se çfarë ke kaluar”. Zakonisht këto janë fjalë emocionesh që shkëmben me mua. Sekreti i Silvinjos? Më lë shumë përshtypje komunikimi dhe energjia pozitive që ka. Mua më duket si një shok, Silvinjo nuk e vendos kurrë veten më lart se ty si lojtar, i mban të gjithë lojtarët i shok. Të jep energji pozitive dhe në ushtrime, flet shumë dhe thotë shumë herë “BRAVO” kur bën një pasim të mirë, një gjuajtje, një krosim të mirë. Unë këto gjëra tek trajnerë të tjerë, shumë rrallë i kam parë. Është dhe detajist, nuk pret që të gabosh te Shqipëria, të tregon gabimin që ke që te Atalanta. Edhe mua herën e parë kur erdha, më tregoi disa video dhe më tha në zyrë: “E di që te Atalanta luan një kundër një, por ne këtu te Shqipëria nuk do të luajmë në ktë mënyrë”. Më tregoi gjithçka për mënyrën sesi unë duhet të luaja.
Ajo ndeshja me Poloninë nuk harrohet. Me golin e Jasir Asanit u habita, shikoja lojtarët e tjerë të Shqipërisë dhe i pyesja: “Çfarë bëri ky? Nga e gjuajti atë top?”. Të them të drejtën, unë nuk e njihja Jasir Asanin më para si lojtar. Mbaj mend ndeshjen e parë në këto kualifikuese, Poloni-Shqipëri. Aty e pashë për herë të parë, por unë isha i dëmtuar në atë ndeshje dhe nuk isha pjesë e Kombëtares. U befasova shumë, i kam shkruar Ajetit menjëherë, as ai nuk ishte i grumbulluar në atë ndeshje. I thashë: “Ky çuni paska shumë talent, nuk e paskam parë asnjëherë më para. Qënka 28-vjeç, ku ka qenë deri tani?”. Më pas kur u grumbullova herën tjetër, pashë nga afër të gjitha kualitetet që ka Jasir Asani dhe uroj të ketë shëndetin. Edhe pse ka 28-vjeç, nuk do të thotë gjë, duhet të ëndërrojë akoma”, tha Gjimshiti. /Sport Ekspres/