-Foto ilustrim-
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit në fshatin Breznicë të komunës së Bujanocit, ku një person i panjohur i armatosur me pushkë automatike ka hyrë në një bastore dhe ka kërkuar para nga punëtorja.
Sipas të dhënave të bëra publike nga Drejtoria e Policisë në Vranjë, ngjarja ka ndodhur pas orës shtatë të mëngjesit. Pasi nuk ka arritur të marrë shumën e kërkuar, i dyshuari ka qëlluar disa herë në drejtim të aparateve të lojërave të fatit, duke shkaktuar dëme materiale.
Fatmirësisht, nga ky incident nuk raportohet për persona të lënduar.
Policia ka dalë menjëherë në vendngjarje dhe është duke punuar për identifikimin dhe kapjen e autorit, ndërsa hetimet janë në zhvillim.
Me urdhër të Prokurorisë së Lartë Publike në Vranjë, është kryer këqyrja e vendit të ngjarjes dhe janë ndërmarrë veprime hetimore për zbardhjen e plotë të rastit.
Kryeprokurorja e Prokurorisë së Lartë Publike në Vranjë, Danijela Trajkoviq, ka deklaruar për RTS se rasti është duke u trajtuar me prioritet dhe se institucionet janë të angazhuara për kapjen e autorit./LUGINALAJMI/



