Foto ilustrim nga Sonja Gočanin – RFE/RL
Prokuroria Publike për Krim të Organizuar ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhënë në emisionin “Ćirilica” të Milomir Mariqit, të transmetuar më 3 nëntor 2025 në televizionin “Prva” – raporton RTS.rs, transmeton LUGINALAJMI.
Në kumtesën e publikuar nga ky institucion thuhet se presidenti i Republikës “ka tejkaluar dhe keqpërdorur kompetencat e tij të përcaktuara me ligj dhe Kushtetutë, duke tentuar të ushtrojë ndikim të papërshtatshëm dhe të palejuar ndaj kësaj prokurorie, përmes komenteve të tij për hetimet aktuale penale.”
Në njoftim thuhet tekstualisht:
“Me rastin e paraqitjes dhe intervistës së presidentit të Republikës Aleksandar Vuçiq në emisionin ‘Ćirilica’ të Milomir Mariqit, të transmetuar më 3 nëntor 2025 në televizionin Prva, ku ai dha deklarata të turpshme me të cilat nënçmoi dhe kriminalizoi prokurorët publikë të Prokurorisë për Krim të Organizuar, kolegiumi i këtij institucioni njofton opinionin se presidenti i Republikës ka tejkaluar dhe keqpërdorur kompetencat e tij të përcaktuara me ligj dhe Kushtetutë, duke tentuar të ushtrojë ndikim të papranueshëm dhe të palejuar mbi këtë prokurori, duke komentuar hetimet aktuale penale.”
Në vazhdim të kumtesës thuhet: “Me deklarata fyese dhe të pavërteta, Aleksandar Vuçiq ka vënë sërish në shënjestër prokurorët që po udhëheqin rastet dhe ka tentuar, nga pozita e autoritetit dhe fuqisë së presidentit të Republikës, të ushtrojë ndikim të palejuar mbi përfundimin e procedurave, duke pretenduar se bëhet fjalë për ‘çështje të trilluara’.”
Prokuroria shton më tej se: “Me deklarata të tilla të papranueshme, përmes të cilave bartësit e funksioneve gjyqësore nënçmohen dhe njollosen, përveç përpjekjes për të krijuar në publik përshtypjen e veprimeve joligjore dhe atmosferës së linçit, realizohet drejtpërdrejt pengim i drejtësisë, duke u cenuar rendi kushtetues dhe juridik si dhe parimet e shtetit të së drejtës.”
Ky reagim i fortë nga Prokuroria për Krim të Organizuar vjen pas komenteve të presidentit në të cilat ai, sipas saj, “ka tentuar të diskreditojë dhe të ndikojë në punën e prokurorëve, duke i quajtur rastet e hapura si ‘të sajuara’”.
Prokuroria e përmbyll kumtesën duke theksuar se “ndikimet e tilla politike janë të papranueshme në një shtet që pretendon të mbrojë rendin kushtetues dhe sundimin e ligjit”./LUGINALAJMI/



