Për shkak të mungesës së naftës së papërpunuar për rafinim, si pasojë e sanksioneve të vendosura nga Departamenti i Thesarit i SHBA-së ndaj kompanisë NIS, Rafineria e Pançevës ka filluar procedurat për ndalimin e përkohshëm të punës.
Në fazën e parë, siç ka njoftuar kompania, njësitë teknologjike të rafinerisë janë futur në “cirkulim të ngrohtë”, ndërsa i gjithë procesi po realizohet në përputhje me ligjet e Republikës së Serbisë, rregullat e brendshme të NIS-it dhe standardet më të rrepta mjedisore, të sigurisë dhe të shëndetit në punë.
Gjatë periudhës së cirkulimit të ngrohtë, aktivitetet në rafineri do të organizohen në mënyrë që uzina të jetë e gatshme të rifillojë punën menjëherë sapo të sigurohet sasia e nevojshme e naftës së papërpunuar dhe të krijohen kushtet për rinisjen e procesit të rafinimit.
Aktualisht, NIS njofton se furnizimi i tregut të brendshëm me derivate të naftës po vazhdon pa ndërprerje, falë rezervave të siguruara më herët.
Kompania shprehu shpresën se sa më shpejt do të mund të rikthehet puna e rregullt e Rafinerisë së Pançevës, e cila konsiderohet si një nga kapacitetet kryesore të furnizimit jo vetëm për Serbinë, por edhe për tregjet rajonale. Rafineria, e modernizuar dukshëm që nga viti 2009 me investime që kapin mbi 900 milionë euro, është thelbësore edhe për funksionimin e HIP Petrokimisë, e cila po ashtu pritet të nisë përgatitjet për ndalim pune.
NIS theksoi se vepron në përputhje të plotë me ligjet e Serbisë dhe të shteteve ku operon dhe se kompania nuk ka kontribuar në asnjë mënyrë që të çojë në vendosjen e sanksioneve që po rrezikojnë funksionimin e saj dhe stabilitetin social të mbi 13.500 punonjësve. NIS mbetet e angazhuar që sa më shpejt të hiqet nga lista amerikane SDN ose të marrë një licencë të veçantë që do t’i mundësojë vazhdimin e pandërprerë të operimeve, duke pasur, siç thuhet, mbështetjen e plotë të institucioneve shtetërore të Serbisë./LUGINALAJMI/



