Një tjetër talent nga Bujanoci po hedh hapa të mëdhenj drejt futbollit evropian. Futbollisti i ri Leon Ramadani ka nënshkruar kontratë profesionale me klubin prestigjioz zviceran Young Boys, duke shënuar një moment të rëndësishëm në karrierën e tij sportive.
Young Boys është një nga klubet më të suksesshme në Zvicër dhe garon në elitën e futbollit zviceran, Swiss Super League, ndërsa është pjesëmarrës i rregullt në garat evropiane, përfshirë Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës.
Sipas njoftimit të KF Besa nga Bujanoci, Leon Ramadani është me prejardhje nga Bujanoci dhe jeton në Zvicër bashkë me familjen e tij. Ai është djali i Latif Ramadanit, kontribuues i klubit KF Besa që nga dita e parë, ndërsa klubi shpreh krenarinë për këtë sukses, duke e konsideruar atë si arritje jo vetëm personale, por edhe kolektive për qytetin dhe shkollën e futbollit.
Ky sukses shihet si një shembull frymëzues për fëmijët dhe të rinjtë e Luginës së Preshevës, duke dëshmuar se përkushtimi, disiplina dhe puna e vazhdueshme hapin rrugë drejt niveleve më të larta të futbollit profesional evropian./LUGINALAJMI/



