Pas mosrealizimit të transferit të mjeteve financiare të ndara për shqiptarët në Luginën e Preshevës, Qeveria e Republikës së Kosovës ka reaguar duke dënuar fuqishëm bllokimin e këtyre fondeve nga ana e autoriteteve në Serbi.
Në një përgjigje për IndeksOnline, Qeveria e Kosovës e cilëson këtë veprim si ndërhyrje të papranueshme në funksionimin e një institucioni legjitim përfaqësues të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për një rast të izoluar, por për një praktikë të përsëritur.
“Qeveria e Republikës së Kosovës dënon fuqishëm bllokimin e vazhdueshëm të mjeteve financiare të destinuara për Këshillin Kombëtar Shqiptar, duke e konsideruar këtë si ndërhyrje të papranueshme në funksionimin e një institucioni legjitim përfaqësues të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ky është rasti i dytë që mjetet e ndara nga Qeveria e Kosovës pengohen në mënyrë të pajustifikuar, duke dëshmuar për një model të përsëritur të bllokimit institucional”, thuhet në reagim.
Sipas Qeverisë, rasti lidhet me vendimin e datës 10 tetor 2025, përmes të cilit janë ndarë 304,511.16 euro, mjete që nuk janë ekzekutuar për shkak të bllokimit nga autoritetet në Serbi.
“Ndërkaq, në prill 2026, shuma totale e mjeteve të bllokuara ka arritur në 1,837,511.16 euro, të dedikuara për projekte në arsim, kulturë, trashëgimi kulturore, si edhe për ruajtjen dhe mbrojtjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve në Luginë”, thuhet më tej në përgjigje.
Qeveria e Kosovës thekson se kjo praktikë bie ndesh me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe se tashmë janë ndërmarrë hapa konkretë për të njoftuar Bashkimin Evropian dhe faktorët relevantë ndërkombëtarë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë hapa konkretë për të njoftuar Bashkimin Evropian dhe faktorët relevantë ndërkombëtarë, duke kërkuar reagim ndaj kësaj praktike që bie ndesh me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të pakicave. Theksojmë se mjetet e Republikës së Kosovës janë plotësisht transparente – dihet qartë burimi, destinimi dhe përfituesit – dhe shpërndahen përmes një procesi të hapur dhe konkurrues.
Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e vendosur të vazhdojë mbështetjen për shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe Sanxhak, duke përdorur të gjitha mjetet demokratike, institucionale dhe ndërkombëtare për të ndalur këtë padrejtësi dhe për të siguruar respektimin e të drejtave të tyre”, thuhet në reagimin zyrtar./LUGINALAJMI/



